Nga data 23 deri më 30 prill 2015, në ambientet e garnizonit ushtarak “Skënderbej” u zhvillua Kampionati i Parë i Shahut për Forcat tona të Armatosura. Për të ndjekur nga afër këtë aktivitet ishin të pranishëm: shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, përfaqësues të Federatës Shqiptare të Shahut, gjeneralë dhe ushtarakë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe Forcave të Armatosura etj.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo duke përshëndetur pjesëmarrësit në këtë kampionat u shpreh se, ndjehem krenar dhe i lumtur që Forcat e Armatosura arritën të zhvillojnë një kampionat shahu këtu në ambientet tona dhe të kemi mbështetjen dhe njohjen nga Federata e Shahut të Shqipërisë. Për këtë gjeneralmajor Bazo ka përshëndetur sidomos praninë e Mjeshtrit Ndërkombëtar të shahut, profesor Ilir Seitaj, të cilin, nënvizoi ai, e kemi parë dhe ndjekur prej vitesh si një shahist të madh të vendit tonë. Në fund të fjalës së tij, gjeneralmajor Bazo ka uruar për të çuar në tej këtë traditë të nisur, duke zhvilluar edhe kampionate të tjera të shahut në Forcat tona të Armatosura me qëllim që të nxjerrim edhe ne shahistë të shquar dhe profesionistë.
Një përshëndetje e veçantë në këtë ceremoni bëri edhe Sekretarja e Federatës Shqiptare të Shahut, znj. Majlinda Pilinci.
Më pas, gjeneralmajor Bazo i dorëzoi Mjeshtrit Ndërkombëtar të shahut “Certifikatë Mirënjohje” dhe një dhuratë simbolike për angazhimin e tij në organizimin e këtij kampionati në FA. Gjithashtu u shpërndanë kupa dhe diploma për fituesit e këtij kampionati. Vendin e parë në këtë kampionat e merituan shahistët e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, në vendin e dytë u rendit ekipi i Forcës Tokësore, ndërsa në vendin e tretë ekipi i Policisë Ushtarake.
Në fund, mjeshtri i shahut shqiptar, Ilir Seitaj, zhvilloi një simultane me shahistët më të mirë që morën pjesë në Kampionatin e Parë të Shahut të Forcave të Armatosura. Në këtë kampionat morën pjesë shahistët më të mirë të përzgjedhur nga konkurrimi në të gjitha njësitë dhe repartet e FA. Zhvillimi i këtij aktiviteti, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Shahut konsiderohet si një sukses i shtuar i lëvizjes shahistike në Shqipëri.