“Me përfshirjen e shahut në sistemin arsimor dhe projektin tonë të përbashkët, të shahut në shkolla, synojmë dhe jemi besimplotë që brenda një periudhe afatshkurtër, 3 deri 5-vjeçare, do të mund ta shtrijmë këtë projekt, në shumicën e shkollave në mbarë vendin.”
Nga: Erald Dervishi
Presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut
Pavarësisht moshës, të gjithë mund të mësojnë dhe të luajnë shah. Shah mund të luajnë fëmijët, të rinjtë, të rriturit dhe të moshuarit, qoftë për pasion në rrafshin amatoresk, qoftë në mënyrë profesionale. Lumturia e një fitoreje dhe hidhërimi kundrejt një humbjeje, mbeten ndjesi të njëjta, pavarësisht moshës, apo nivelit shahistik dhe janë pjesë përbërëse e kënaqësisë së të luajturit shah.
Anembanë botës, sporti i shahut po bëhet gjithnjë e më popullor. Aktualisht, janë pothuajse 800 milionë njerëz që luajnë shah dhe janë të regjistruar pranë federative përkatëse kombëtare. Objektivi i Federatës Ndërkombëtare të Shahut “FIDE”, në vitet në vijim është ai i masivizimit të mëtejshëm të sportit të shahut, që kryesisht do të mund të arrihet nëpërmjet përfshirjes së shahut në shkolla.
Në shumë vende të botës tashmë është bërë e mundur që sporti i shahut, të përfshihet në shkollat fillore dhe tetëvjecare. Ndërsa, në disa shtete, ky projekt ka avancuar, duke e bërë sportin e shahut si një lëndë të detyrueshme kurrikulare.

Në Shqipëri, tradicionalisht, loja e shahut është pëlqyer dhe luajtur, masivisht. Shah është luajtur dhe luhet, jo vetëm në mënyrë profesionale, në klube shahistike, por edhe nëpër shtëpi, shkolla, universitete, plazhe, parqe qytetesh, apo edhe në kafene.
Çka është më e rëndësishme, mbetet tërheqja dhe dëshira e trashëgueshme ndër breza, e fëmijëve në moshë të vogël, për të mësuar dhe luajtur shah, e shoqëruar kjo, në mënyrë konstante nga interesimi gjithmonë i lartë, i prindërve, për të afruar fëmijët pranë sportit të bukur të shahut.
Në Shqipëri sporti i shahut gëzon një status dhe traditë të hershme. Falë rezultateve të larta arritur nga shahistët tanë ndër vite, në arenën ndërkombëtare, sporti i shahut është konsideruar gjithnjë, pjesë përbërëse e sportit elitar shqiptar.

Kjo është përpjekja jonë e parë serioze, për të futur sportin e shahut në sistemin arsimor. Ne besojmë se, këto përpjekje do të jenë jenë të natyrës së përhershme dhe do të rezultojnë mjaft të sukseshme, duke zbuluar kështu një rol të ri; atë të rëndësisë së sportit të shahut, në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.
Nga studime dhe hulumtime të shumta, të kryera mbi efektet dhe ndikimin e lojës së shahut tek fëmijët e moshave të vogla, tashmë është një qëndrim ndërkombëtar i konsoliduar se, Shahu, përveç anës agonistike dhe elementëve të tjerë sportivë, në vetvete mbart shumë vlera të tjera pozitive në formimin dhe edukimin e fëmijëve që në moshë të re. Hulumtimet tregojnë se shahu promovon të menduarit logjik, rrit ndjeshëm shkallën e kreativitetit dhe ndikon drejtpërdret, në të sjellurit në mënyrë sistematike.

Pak rëndësi ka nëse fëmijët, të cilët mësojnë të luajnë sot shah, në të ardhmen do të bëhen mjeshtra të mëdhenj dhe kampionë të ardhshëm, më e rëndësishme është fakti se, fëmijët, duke luajtur shah argëtohen dhe bëhen më socialë dhe të përgjegjshëm.
Me përfshirjen e shahut në sistemin arsimor dhe projektit tonë të përbashkët të shahut në shkolla, ne synojmë dhe jemi besimplotë që brenda një periudhe deri afatshkurtër 3 deri 5-vjeçare, do të mund të shtrijmë këtë projekt në shumicën e shkollave në mbarë vendin, si dhe në një periudhë afatmesme 5 deri 10-vjeçare të fillojmë të prodhojmë rishtazi, Mjeshtrat e Mëdhenj Ndërkombëtarë (GM), të cilët, do të mund të përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë në arenën botërore, si dhe përse jo, Kampionët e rinj të ardhshëm, të Europës dhe të Botës.

Ndërthurja ndërmjet traditës elitare, pasionit të brezave të rinj, për lojën e shahut dhe mbështetjes së pakufizuar që Federata Shqiptare e Shahut, së bashku me Federatën Botërore të Shahut dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, do të japin në këtë drejtim, janë elementë të nevojshëm dhe përbëjnë terrenin e përshtatshëm që, sporti i shahut, në vendin tonë, të zhvillohet me ritme shumë të shpejta.
Jemi të bindur se, me realizimin dhe përfshirjen e projekteve tona, ku vend parësor zë pa dyshim, shahu në shkolla, – jo vetëm, do të arrijmë të masivizojmë edhe më tej, sportin e bukur të shahut, në Shqipëri, por mbi të gjitha do të mund të krijojmë bazën e nevojshme, për të pikasur dhe përgatitur më tej, talentet e reja dhe kampionët e ardhshëm në shah.
Formimi dhe edukimi në mënyrë të përgjegjshme i brezave të ardhshëm, mbetet ende sot, një ndër sfidat kryesore të vendit tonë. E rëndësishme është që brezat e ardhshëm, të behen të shkolluar e të ditur dhe njëkohësisht, të dinë të argëtohen.
Pa dyshim, loja e shahut, do të mund t’i ndihmojë në këtë drejtim!