Sporti i shahut po tërheq më tepër të rinj në Shqipëri dhe janë shkollat ato që po e promovojnë edhe në mënyrë të pavarur, duke e kultivuar shahun në brezat e rinj. Të mërkurën e sotme, në 2 shkurt, një nga shkollat e mesme më të njohura të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, Gjimnazi Petro Nini Luarasi, ka organizuar një shfaqje simultane shahu me shahistin veteran Gjergj Zavalani. Me pak ngjashmëri me simultanen e filmit shqiptar “2 herë mat” të regjisorit Bujar Kapexhiu, mjeku dhe shahisti Zavalani luajti njëkohësisht kundër disa shahistëve amatorë, por nuk hasi në rivalitetin e ndonjë “Rudine”, duke i fituar pa shumë vështirësi të gjitha takimet.
Simultaneja u organizua nën drejtimin e mësuesve të lëndës së Edukimit Fizik, Ajet Toska dhe Yllka Çela, me mbështetjen e drejtoreshës së shkollës, znj. Teuta Braçaj. Në simultane merrnin pjesë 7 nxënës të shkollës, shahistë të rinj amatorë, që luajtën kundër Gjergj Zavalanit për gati 2 orë, prej orës 10:45 deri në 12:30. Zavalani ka mundur t’i fitojë të 7 takimet kundër shahistëve amatorë dhe në përfundim të simultanes së tij, ishte shahistja e re Klean Shuqja, nxënësë e klasës së 10-të të gjimnazit “P. N. Luarasi” dhe njëkohësisht shahiste e kualifikuar që mban titullin Kandidat Mjeshtre e shahut, e cila zhvilloi një tjetër simultane ndaj nxënësve, duke i fituar të gjitha takimet. Simultaneja e saj u zhvillua mes orarit 12:45 – 14:30.
Gjergj Zavalani, me profesion Mjek i Përgjithshëm tashmë në pension, përveçse një shahist veteran, është një veprimtar dhe gazetar i shahut. Në pranverën e viti 2019, ai ka dhënë edhe një shfaqje tjetër simultane shahu, në një shkollë private 9-vjeçare, në qytetin e Elbasanit. Pjesëmarrja e tij e fundit në një veprimtari zyrtare ka qenë në tetor 2019, në Kampionatin Kombëtar Ekipor në Tiranë, duke luajtur në tavolinën e dytë për ekipin e Elbasanit. Në faqen zyrtare të FIDEs, ai ka një koefiçient aktual ELO 1768, me renditjen më të lartë të viteve të fundit, ELO 1905.
Klean Shuqja u bë e njohur që në moshën 13-vjeçare, në vitin 2019, kur arriti të zërë vendin e tretë në Kampionatin Evropian të Shkollave, të zhvilluar në Mamaia të Rumanisë. Ajo mban titullin Kandidat Mjeshtre e Shahut për femra dhe aktualisht renditet me koefiçientin ELO 1811, duke patur renditjen më të lartë ELO 1909.
Mësuesi i apasionuar i Edukimit Fizik, Ajet Toska, një dashamirës i shahut, është para së gjithash një Mjeshtër i Merituar Sporti. Ai ka qenë Kampioni absolut i Shqipërisë në vitet ’80, në hedhjen e çekiçit dhe të gjyles. Në vitin 1984, Toska fitoi medaljen e bronzit në Ballkaniadën e Athinës, kurse në vitin 1987, në Lojërat Mesdhetare të Atletikës në Latakia të Sirisë, zuri vendin e dytë, duke fituar medaljen e argjendit.
“Gjimnazi ynë ka 12 paralele për çdo vit, pra një numër total prej 36 klasash. Çdo pranverë ne organizojmë kampionatet mes ekipeve të klasave në kalçeto, volejboll dhe basketboll, kurse prej 7 vitesh organizojmë rregullisht Kampionatin e shkollës në shah” – shprehet Toska. Ai shprehet i kënaqur që me një vendim të Këshillit të Ministrave, lënda e Edukimit Fizik është bërë e detyrueshme minimumi 3-herë në javë nëpër shkolla, duke i bërë nxënësit më aktivë. Megjithatë ai shprehet i pakënaqur nga indiferenca e federatave sportive, si në mbështetjen ndaj sportit në shkolla, ashtu edhe në gjetjen e talenteve të reja.
“Pavarësisht veprimtarive tona, nuk vjen asnjë specialist nga ana e federatave të sporteve për të zbuluar talentet e reja. Është për të ardhur keq një mospërfillje e tillë nga ana e federatave” – thotë Mjeshtri i Merituar Toska. Gjithsesi ai vazhdon të mbetet aktiv dhe të nxisë organizimin e veprimtarive sportive në shkollën ku jep mësim, duke ushqyer sportin tek të rinjtë.
#shah#gjimnaz#shkolla#simultaneshahu#chess#ajettoska#kleanshuqja#gjergjzavalani#petroniniluarasi#federatashqiptareeshahut