Kompania NOBEL në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Shahut, çelën në Korçë, etapën e parë, ku morën pjesë mjekë nga Elbasani, Pogradeci dhe Korça
Mjekët, infermierët e farmacistët, në skakierën e shahut: viti 2024, gjatë tremujorit të parë, shënoi veprimtari të shumta shahistike, jo vetëm në kryeqytet, por edhe qytete të Shqipërisë, ku në veçanti, duhen dalluar ato të veriut, si Shkodra, që është model për këto aktivitete shahistike, por gjithashtu edhe Tropoja, Lezha dhe Kukësi.
Pa dyshim, kryqendra është Tirana, ku aktivitetet janë më të shumta dhe të larmishme. Pas konkursit që u zhvillua me të rinjtë deri në 15 vjeç, në ambasadën hungareze dhe 2 shkollat, “Protagonistet” dhe “Nobel”, surpriza më e bukur erdhi tani në fund, ku në provë u vunë ata që i shërbejne çdo ditë komunitetit, siç janë mjekët, infermierët dhe farmacistët.
Nisma e kompanisë “Nobel”, që në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Shahut, çelën në Korçë, etapën e parë, ku morën pjesë mjekë nga Elbasani, Pogradeci dhe Korça.
Me një organizim shumë të mirë, seriozitet e përkushtim, mjekët, si amatorë, treguan nivel të kënaqshëm dhe në fund të kampionatit, 3 vendet e para i fituan mjekët dhe farmacistët e Elbasanit:
1. Vladimir Haka
2. Altin Gjata
3. Blendi Musaj
Për të gjithë pjesëmarrësit, u dhuruan libra. Ky ishte stacioni i parë dhe vetë Presidenti i firmës, z. Indrit Tershana, i pranishëm deri në përfundim të garës, vlerësoi nismën dhe premtoi se, mjekët e Shqipërisë, do të kenë kampionatin e përvitshëm dhe ky është vetëm fillimi!
Kjo garë e bukur, do te pasurohet me takimet që do të luhen nga mjekët e qarqeve Shkodër, Vlorë dhe Durrës.
Shahu është tanimë, në interesin e jo vetëm të rinjve dhe të rejave, por amatorëve anembanë Shqipërise!
FALËNDEROJMË KOMPANINË NOBEL