Ditëlindje kampioni!

Sot mjeshtri ndërkombëtar i shahut, ylli i shahut shqiptar Fatos Muço ka 75-vjetorin e lindjes. Të shkruash për Fatos Muçon dhe sukseset e tij sportive si lojëtar dhe trajner i ekipit kombëtar prej më se 25 vitesh, nuk është fort e lehtë. Emrin e Fatos Muços e ka dëgjuar i madh e i vogël në Shqipëri. Pa dyshim ai është një nga emblemat e sportit shqiptar në përgjithësi dhe atij të shahut në veçanti. Faktet flasin fare mirë për këtë: 11 herë kampion i Shqipërisë në shah, i pari mjeshtër ndërkombëtar i Shqipërisë dhe i të gjitha trojeve shqiptare (v.1982), pjesëmarrës në shtatë olimpiada botërore të shahut duke luajtur pesë herë në tavolinën e parë të Shqipërisë, 8 herë fitues i anketës “Sportistët më të mirë të vitit”.

Fatosi u lind më 17 prill 1949 në Durrës në familjen e një mjeshtri rrobaqepës me prejardhje nga Gjirokastra. Me shahun u njoh në moshën 9-vjeçare në mjediset e shkollës “10 Korriku” duke luajtur me bashkëmoshatarët e vet. Shpejt filloi të aktivizohej në rrethin e shahut të shtëpisë së pionerit të qytetit që drejtohej nga Fatmir Turkeshi; më vonë ai do të kishte për trajner në Durrës dr. Halit Hakën. Këta të dy ishin trajnerët e tij të parë në shah. Në vitet 1968-70 gjatë kryerjes së shërbimit të detyruar ushtarak ai u aktivizua me klubin “Dinamo” duke pasur për trajner Mina Peçin. Po në këtë kohë ai do të fillonte kontaktet e ngushta me mjeshtrin e mirënjohur, dr. Esat Durakun, që do të ishte trajner i ekipit tonë kombëtar në vitet ‘79-90. Në pjesëmarrjen e parë zyrtare, gjysmëfinalet e KK, Vlorë 1966, ai pati një rezultat tepër modest (grumbulloi vetëm 1 ½ pikë), por 2 vjet më vonë po në Vlorë ai u kualifikua i pari në grupin e tij dhe fitoi të drejtën për të luajtur në finalet e kampionatit kombëtar të vitit 1968 që u zhvilluan për herë të parë në Korçë. Në finalet e vitit 1968 ai mbërriti një rezultat premtues duke u renditur së bashku me Zeqir Sulën në vendet XI-XII me 6 ½ pikë nga 15 të mundshme. Në pjesëmarrjen e tij të parë në finale Fatos Muço mundi mjeshtrat e mirënjohur Ylvi Pustina dhe Floran Vila. Tani Fatosi filloi të studiojë me seriozitet letërsinë shahistike çka do t’i jepte shpejt frytet e veta. Në finalet e vitit 1969 Fatosi ndau vendet 8-9 me kandidat mjeshtrin Neritan Babamusta. Në vitin 1970 Fatosi do të mbërrinte suksesin e parë shahistik: ai do të dilte i dyti mbas mjeshtrit të merituar Pustina dhe duke fituar kështu titullin e kandidat mjeshtrit. Në këtë kampionat Fatos Muço la mbrapa mjeshtrat e njohur Vila, Omari, Adhami, Veizaj e Konçi. Tashmë Fatos Muço kishte hyrë në mënyrë të padiskutueshme në elitën e shahut shqiptar. Forcën e tij shahistike Fatosi 22-vjeçar do ta konfirmonte dhe në kampionatin e fortë të vitit 1971 ku do të merrnin pjesë edhe mjeshtrat rumunë Jon Fisher dhe Marius Cirikuta. Në këtë garë të fortë Fatosi ishte përsëri pranë titullit, por dy humbje me lojëtarë të mesit të tabelës e zhvendosën atë në vendin e katërt. Gjithsesi ai ishte i vetmi shahist shqiptar që mundi mjeshtrin rumun Jon Fisher (ky i fundit e përfundoi kampionatin me pikë të barabarta me Adhamin, Pustinën e Vilën) duke fituar kështu duartrokitjet e shikuesve që kishin mbushur sallën e klubit “Studenti” ku zhvillohej kampionati. Në vitin 1972 Fatosi do të luante në Olimpiadën Botërore të Shkupit ku do të shquhej nga ekipi ynë me lojërat e tij të sakta pozicionale (në tavolinën e katërt ai grumbulloi 11.5/ 15 takime duke humbur vetëm me IM bullgar Pejço Pejev) Për këtë rezultat të lartë ndërkombëtar ai u shpall mjeshtër sporti. Në kampionatin e vitit ‘72 që u zhvillua në dhjetor mbas olimpiadës botërore, ai duke qenë me një gjendje gripale mundi të dilte vetëm i gjashti – i shtati pa pretenduar dot për titullin, por në kampionatin e 29-të kombëtar të vitit 1973 ai do të ringrihej përsëri duke zënë vendin e dytë mbas Floran Vilës (pësoi vetëm një humbje me Vangjel Adhamin që zuri vendin e tretë).Viti 1974 do të kurorëzonte përpjekjet e parreshtura të Fatos Muços për titullin kampion të shahut në Shqipëri. Ai ndonëse humbi dy takimet me rivalët e tij të përhershëm Adhami e Pustina, zuri vendin e parë, mbasi fitoi më shumë takime nga të gjithë shahistët e tjerë. Në verën e vitit 1975 Muço-ja do të përfaqësonte Shqipërinë në Kampionatin Evropian Ekipor të Shahut në Pulja të Jugosllavisë duke luajtur për herë të parë në tavolinën e parë të ekipit shqiptar. Që nga ky moment e deri në vitin 1990 ai do të luante gjithmonë në tavolinën e parë për ekipin përfaqësues të Shqipërisë. Fatos Muço do ta fitonte titullin kampion edhe 10 herë të tjera në periudhën 1975-1989. Vetëm në dy raste gjatë kësaj periudhe, përkatësisht në vitet 1975 dhe 1988 ai ka dalë i dyti mbas mjeshtrit Llambi Qëndro (tashmë IM) dhe me vetëm ½ pike larg atij. Në këtë mënyrë Fatos Muço u bë hegjemon në shahun shqiptar dhe shahisti etalon që duhej mundur. Deri në fund të viteve ’70 në duelet një për një ai e pati mjaft vështirë me mjeshtrin kombinativ Vangjel Adhami (5 herë kampion i Shqipërisë), por gradualisht duke u thelluar gjithmonë e më shumë në lojën e arsyeshme pozicionale ai e kapërceu edhe këtë barrierë dhe u bë absolut në shahun shqiptar. Në Evropë e në botë pak shahistë e kanë fituar titullin kampion në vendet e tyre më shumë se 11 herë, sikundër Fatosi. Në Nëntor të vitit 1981 për herë të parë në jetën e tij, Fatosi 32-vjeçar e përfaqësoi me dinjitet Atdheun në turneun ndërkombëtar të Selanikut duke marrë mbi 50% të pikëve. Loja e Fatosit në këtë turne u vlerësua edhe nga fituesi i kësaj gare, amerikani Xhon Fedoroviç (dtl.1958; GM në v.1986) me të cilin Fatosi, për arsye të njohura politike të asaj kohe nuk e zhvilloi ndeshjen. Në vitin 1982 FIDE-ja duke vlerësuar rezultatet e larta të Fatosit në arenën ndërkombëtare e shpalli atë Mjeshtër Ndërkombëtar të shahut. Në fillim të vitit 1985 IM Muço së bashku me mjeshtrin Ilir Seitaj morën pjesë në Turneun Zonal të Kavallës (Greqi) në kuadrin e garave ciklike për titullin botëror në shah. Në këtë garë shumë të fortë, ku merrnin pjesë 5 mjeshtra të mëdhenj nga Jugosllavia-elitare në shahun e stëhershëm botëror-, dhe mjeshtra të tjerë nga Greqia, Turqia e Malta, mjeshtri ynë ndërkombëtar Muço u rendit në vendet III-IV së bashku me GM jugosllav Dragoljub Velimiroviç (8 1/2 në 13 takime) duke tejkaluar me gjysmë pike normën e mjeshtrit ndërkombëtar dhe duke iu afruar ballit të parë për GM. Dy të parët e turneut të Kavallës, mjeshtrat e mëdhenj jugosllavë Ceballo dhe Nikoliç (përkatësisht me 9 1½ dhe 9 pikë ), u kualifikuan për turnetë ndërzonalë. Në vitin 1989 Fatos Muço u bë shqiptari i parë që fitoi një turne ndërkombëtar shahu: atë të Akropolis-it (Athinë) me 6 ½ pikë në 9 takime, pa humbje. Pjesëmarrja e fundit e Muços në olimpiadat botërore do të ishte ajo e vitit 1990 kur në Novi Sad, në tavolinën e parë për Shqipërinë ai do të grumbullonte 7 pikë në 10 takime (4 fitore e 6 barazime) duke plotësuar kështu një normë (ballë) për fitimin e GM. Fatos Muço u largua nga shahu i luajtur në moshën 41-vjeçare duke marrë pjesë në 19 kampionate kombëtare me një bilanc të shkëlqyer : 154 fitore, 159 barazime dhe vetëm 27 humbje. Rekordi i tij prej 11 herësh kampion i vendit nuk është thyer deri më sot e ndoshta do të duhet shumë kohë për ta thyer këtë rekord. Çka e bëri Fatos Muçon që të shquhej për një kohë të gjatë nga të gjithë shahistët e tjerë të Shqipërisë? Pa dyshim që ai kishte cilësitë e larta intelektuale, moralo-volitive, dhe pse jo edhe ato fizike që i duhen një lojëtari të shquar. Ai u thellua më shumë nga të tjerët në lojën pozicionale duke studiuar me imtësi disa hapje që i përshtateshin stilit të tij dhe veçanërisht finalet ku nuk falte miligramin duke realizuar me saktësi epërsitë pozicionale të krijuara në hapje e në meslojë. Fatos Muço-ja në vitet ‘70-‘80 u bë shëmbëlltyra më e mirë e “shahut konkret” në Shqipëri.

Pa asnjë dyshim, në qoftë se në Shqipëri para vitit 1990 do të ishin kushtet e sotme, Fatos Muço-ja (ashtu si edhe disa shahistë të tjerë elitarë të asaj kohe) do të ishin bërë mjeshtra të mëdhenj ndërkombëtarë të shahut. Në vitin 2000 për meritat e tij ai u dekorua nga presidenti i Republikës Rexhep Mejdani me medaljen “Mjeshtër i Madh i Punës”. Për shumë vite është zgjedhur në forumet drejtuese të shahut shqiptar. Në qytetin e tij të lindjes ai gjithmonë ka gëzuar dhe gëzon një simpati dhe popullaritet të madh. Ai ka ndikuar fuqimisht në ecjen përpara të shahut në klubin sportiv “Lokomotiva” (tashmë ‘Teuta’) dhe për ca kohë ka qenë edhe shef i këtij klubi. Në sajë të ndihmës dhe trajnimit të tij nga ky klub kanë dalë shumë emra të njohur, ndër të cilët mund të përmendim mjeshtrin e FIDE-s Lorenc Rama dhe veçanërisht mjeshtrin e Madh Ndërkombëtar Erald Dervishi, tashmë në pozicionin e kryetarit të Federatës Shqiptare të Shahut. Fatosi vazhdon të kontribuojë ende me sukses si trajner i ekipit kombëtar të shahut. Ne i urojmë Fatosit nga zemra në këtë përvjetor datëlindjeje (edhe në emër të bashkësisë shqiptare të shahut) shëndet e mbarësi në familje dhe suksese të mëtejshme në detyrën e tij fisnike si trajner në përçimin e dijeve të tij shahistike brezit të ri. Kristaq Andoni /Gjergj Zavalani

About The Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts