2 nga 4 veprimtaritë e planifikuara për këtë aktivitet shumë të rëndësishëm, siç janë kampionatet ekipore për meshkuj dhe femra, ndërsa i pari është me histori të madhe, i dyti vjen rishtas dhe duhet vlerësuar për nismën e Federatës Shqiptare të Shahut!
Fituesit për meshkujt është “Partizani”, ndërsa për femra është “Teuta” e Durrësit. Partizani përsërit këtë sukses, pas viteve 1973, 1987 dhe 1998, pra rikthehet në fronin e fituesit, pas 26 vitesh, kjo sa për statistikë.
Të rikthehemi në garë!

Në përgjithësi pati luftë sportive jo vetëm për kreun, por edhe për mesin e tabeleës dhe për mosrënien nga kategoria. 4 ekipet kryesore që ishin “Butrinti”, “Partizani”, “Teuta” dhe “Tirana” e patën garën e bukur midis tyre. E papritura më e madhe ndodhi në turin e 3-të, ku në mënyrë befasuese, “Butrinti” humbet me “Flamurtarin”, me rezultatin 2.5-1.5! Kjo goditje pati ndikim edhe në ndeshjen e radhës, pasi brenda ditës, humbi edhe me “Tiranën” pretendente me rezultatin 3-1, çfarë bëri që të dalë nga pretendimet për fronin! Në skenë del “Partizani”, që kalon nga njërafitore në tjetrën: në 6 turet e para, 6 fitore. Kulmin e arriti kjo garë, në turin e 5-të, ku në finalen e madhe ishin “Partizani” dhe “Tirana”. Matchi ishte i fortë dhe rezultati ishte i paimagjinueshëm: 4-0! Me këtë fitore, “Partizani”, në 2 ndeshjet e fundit i duhej 1 fitore me takimet me “Luftëtari” dhe “Butrinti”. Arriti fitoren me “Luftëtari”, me rezultatin 3-1. Humbja në turin e fundit, me “Butrintin”, me rezultatin 3-1, nuk ia zbeh vlerat fituesit! “Partizani”, i përbërë nga FM Aleksandër Xhembulla, CM Klendi Zeneli, CM Riza Bregu dhe FM Oltjon Llupa, të drejtuar nga trajneri i apasionuar Arian Bllaca, ka vite që punon dhe puna e bërë e shpërbleu!

Ekipi ka harmoni, një unitet që është për t’u vlerësuar dhe shumë këmbëngulës për të arritur objektivat! Dhe në këtë pikë, duhet vlerësuar edhe puna në përgjithësi që bëhet në klubin “Partizani”. Organizimi shumë i mirë është për t’u marrë shembull!
“Teuta”, që u rendit e dyta, e nisi keq garën, me 2 humbje, në raundin e parë, me “Butrintin”, rezultati 2.5-1.5 dhe në raundin e dytë, me “Partizanin”, me rezultatin 2.5-1.5. Më pas, jo vetëm që e morën veten, por kaluan nga fitore në fitore!
Pika më e fortë e ekipit, ishte 14-vjeçari Mateu Boçi, që kontribuoi më shumë për ekipin dhe kjo, duket edhe nga rezultati i tij, që nga 7 ndeshje, dha 6 pikë! Edhe FM Samuel Zenelaj kontribuoi shumë, duke dhënë 6 pikë nga 7 ndeshje decizive për arritjen e vendit të dytë!
Vendi i tretë i takoi Sarandës, që në finish, me pikë të barabarta matchesh, por me rezultate më të mira tavolinash, i mori vendin e tretë Tiranës!
Klasifikimi përfundimtar është:
1. “Partizani” 12 pikë
2. “Teuta” 10 pikë
3. “Butrinti” 10 pikë
4. “Tirana” 10 pikë
5. “Flamurtari” 7 pikë
6. “Luftëtari” 4 pikë
7. “Apollonia” 2 pikë
8. “Vllaznia” 1 pikë
2 ekipet e fundit, do të luajnë 1 kategori më poshtë. Në bazë të rezultateve individuale, fituesit për tavolinat përkatëse janë:
Tavolina 1: FM Aleksandër Xhembulla, “Partizani”, 5.5/7
Tavolina 2: CM Klendi Zeneli, “Partizani”, 6/7
Tavolina 3: FM Zino Veleshnja, “Butrinti”, 6/7
Tavolina 4: Mateu Boci, “Teuta”, 6/7
Për ta mbyllur kapitullin e meshkujve, nuk mund të lë pa përgëzuar 2 veteranët e shahut shqiptar, Gligor Stavrin e “Luftëtarit” dhe Ferdinand Bezhanin e “Flamurtarit”, të cilët, megjithëse luajnë për shumë dekada, u shfaqën të freskët, rezultativë, duke dhënë një shembull shumë të mirë për shahistët e rinj!
Kalojmë te kapitulli i femrave! Megjithëse më i paktë numri i ekipeve, si organizim për herë të parë duhet vlerësuar dhe po e theksoj, se jam i sigurt që vitin e ardhshëm do kemi shumë ekipe femrash.

2 ekipe ishin mjaft të forta, me përbërje pothuajse të njëjtë dhe të denja për njëra-tjetrën, si dhe faktin që ata u ndeshën 2 herë midis tyre, e rriti pak më shumë vlereën e kampionit dhe kjo u pasqyrua në të gjitha takimet dhe tavolinat përkatëse. Pra, bëhet fjalë për ekipin “Teuta” e Durresit dhe “Sport Klub Tirana”.
“Teuta” kishte këtë përbërje:
1. WCM Eglantina Shabanaj
2. WFM Kler Caku
3. WCM Eklea Omeri
4. Dea Ramaj
“Tirana” kishte kete perberje:
1. WFM Klean Shuqja
2. WFM Petya Karaivanova
3. Suzana Kërçiku
4. Dobrovolska-Rakhnina, Bozhena

Në ballafaqimin e parë, u fiksua barazimi 2-2. Për “Teutën” fituan WFM Caku dhe WCM Omeri, ndërsa për “Tiranën” fituan WFM Shuqja dhe ukrainasja Rakhina. Në takimin e dytë, çdo fitore i jepte titullin këtyre 2 skuadrave. Takimi i dytë fillon mbarë për “Teutën”, pas fitores së parë të veteranes WCM Shabanaj, që mundi WFM Shuqja. Më pas, përfudon barazimi i tavolinës së katërt, ku luante Ramaj me ukrainasen Rakhina. Matchi barazohet pasi Kërçiku “i kthen reston” WCM Omerit. Përcaktuese ishte fitorja e WFM Cakut, ndaj bullgares WFM Karaivanova dhe kjo, për të dytën herë,.. ndoshta duke e afruar “Teutën” pranë titullit!
Vajzat përgëzuan njëra-tjetrën për suksesin që arritën dhe kështu u mbyll dhe kjo garë. “Teuta” hyn në histori, si fituese e parë për kampionatin ekipor të femrave! Këtë sukses te “Teuta”, duhet përmendur edhe puna e trajnerit FM Lorenc Rama, që meriton vlerësim.

Këta ishim fituesit e parë!
Më datë 5 tetor, zhvillohet kampionati mbarëkombëtar rapid, në format 10+5 dhe më datë 6 tetor zhvillohet kampionati mbarëkombëtar blitz, me formatin 3+2, ku mendohet të ketë pjesëmarrje të madhe, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova dhe Mal i Zi, dhe nga pjesëmarrësit e regjistruar deri më tani, premtohet betejë e madhe, pasi në lojë janë edhe disa çmime.
Duke përfunduar, përgëzojmë bashkinë Bashkia Vlorë, që mori përsipër zhvillimin e këtij festivali të bukur dhe urojmë që të ketë një mbyllje, sa më të bukur!
Nga: Kristaq Andoni @fshsh