Nis në Petrovac, Botërori i të Rinjve FIDE 2025

Kampionati Botëror i Shahut për të Rinjtë i FIDE-s nisi të martën, më 25 shkurt, në Petrovac, Mal i Zi. Ky kompeticion, i hapur për lojtarë nën 20 vjeç, përfshin dy kategori: Open dhe Vajza.

Pothuajse 230 shahistë nga 44 vende, po marrin pjesë në këtë event, me 157 lojtarë (përfshirë 12 GM) nga 63 vende në seksionin Open. Lojtari me vlerësimin më të lartë në turne, është GM Daniel Dardha (2651), djali shqiptar që përfaqëson Belgjikën.

Seksioni i Vajzave ka gjtihsej 98 lojtare, duke përfshirë shtatë WGM nga 27 vende. Lojtarja me vlerësimin më të lartë në turne, është IM Lu Miaoyi (2432), nga Kina.

Dita e parë, nisi me mbledhjen teknike, udhëhequr nga Kryearbitri IA Nebojsa Baralic dhe Delegati Teknik i FIDE-s, Sergei Indeikin.

Ceremonia e hapjes u mbajt përpara raundit të parë, me praninë e Ministrit të Sportit dhe Rinisë së Malit të Zi, Dragoslav Scekic; Presidentit të Federatës së Shahut të Malit të Zi, Jovan Milovic dhe delegatit të FIDE-s, Sergei Indeikin. Ministri Scekic dhe Presidenti i MCF, Milovic, bënë lëvizjen simbolike të parë, të turneut.

Raundi i parë i Kampionatit Botëror të Shahut për të Rinjtë, në Petrovac, ofroi një spektakël të vërtetë për spektatorët, me ndeshje luftarake dhe surpriza, pavarësisht diferencave të mëdha në Elo dhe përvoje, në shumicën e tavolinave.

Një nga ndeshjet më të tensionuara të raundit të parë, u zhvillua në tabelën nr. 3, ku një nga favoritët e turneut, GM Aleksey Grebnev, që përfaqëson FIDE-n, u përball me FM Mateu Boci, nga Shqipëria.

Loja nisi me mbrojtjen Nimzo-Indiane, me Aleksey që zgjodhi një nënvariant të sistemit Rubinstein, çfarë është popullarizuar së fundmi, nga Richard Rapport.

I ziu nuk reagoi në mënyrën më parimore dhe vazhdoi zhvillimin në stilin e kundërt të sistemit Colle-Zukertort. Nga ana objektive, i bardhi fitoi një avantazh të vogël pozicional, me peshën e tij në f3, që kufizonte në mënyrë efektive figurat e vogla të të ziut. Megjithatë, pozicioni mbeti kryesisht i paqartë dhe plot gjallëri.

Disa lëvizje më vonë, Grebnev zgjodhi një transformim interesant të strukturës së pionëve, me një plan afatgjatë për të transferuar kalorësin e tij pasiv, në e2, drejt një pozicioni të lavdishëm qendror, në e5.

Megjithatë, ky plan kërkonte kohë për t’u realizuar dhe Mateo, krijoi kundërlojë në krahun e mbretit, me një shtyrje tipike të pionit h, frymëzuar nga AlphaZero.

Pozicioni u bë gjithnjë e më i mprehtë dhe kompleks, me të bardhin, që më në fund, arriti objektivat strategjike, por duke dobësuar ndjeshëm mbretin në këtë proces. Momenti i parë kritik erdhi në lëvizjen e 35-të, kur, në një situatë të ndërsjellë të mungesës së kohës, Grebnev shkoi për gjithçka me 35. Dxc6 – një vendim i pasigurt, që duhej t’i ishte kthyer kundër. Në vend të kësaj, 35. Rh2 do t’i lejonte të bardhit, të luftonte në kushte të barabarta, ndonëse në një lojë praktike, i ziu ndoshta do të kishte një pozicion më të favorshëm.

Shahisti i ri shqiptar reagoi me energji, aktivizoi të dyja torrat dhe e vuri kundërshtarin e tij, në prag të një disfate shkatërruese. Nga ana objektive, sulmi i të ziut ishte vendimtar.

Megjithatë, duket se nervat bënë të vetën në këtë moment—Mateo, nuk e konsideroi një vendim profesionist, për të përsëritur pozicionin disa herë përpara se të arrinte kontrollin e kohës me 39…Kh1+ 40. Kg1 Ng3 41. Kf2. Me 30 minuta shtesë, Boci kishte shumë gjasa, ta kurorëzonte sulmin e tij, me një fitore.

Në fakt, lëvizja gjakftohtë 41…Rb2 (apo edhe 41…Ra2) e vendoste të bardhin në zugzwang, pasi si 42. Df3, ashtu edhe 42. Da8+ Kh7 43. Df3, do të përballeshin me Nh1+, duke çuar në pozicion humbës për të bardhin.

Në vend të kësaj, ndodhi katastrofa, pasi i ziu gaboi rëndë me 39…Dh5??, duke humbur nga sytë përgjigjen e fuqishme 40. Da8+! Kh7 41. Df3! me një fitore të sigurt për të bardhin.

Befas, 41…Nh1 nuk funksionon më, për shkak të 42. Ke3!. Aleksey e shfrytëzoi menjëherë këtë mundësi të artë, pasi i ziu u detyrua të shkëmbente damat dhe loja përfundoi e pashpresë për të, për shkak të pionit shumë të fortë, të kaluar në kolonën d.

Grebnev e konkretizoi fitoren pa vështirësi, duke e mbyllur lojën me një goditje të bukur taktike.

Një humbje e dhimbshme për FM Mateu Boci, i cili, bëei një lojë të frymëzuar kundër një kundërshtari shumë të fortë. Megjithatë, nëse vazhdon të luajë në këtë nivel, nuk do të vonojë që ai të marrë “skalpe” të tjera të mëdha, përfshirë mjeshtra të mëdhenj.

Nga ana tjetër, kjo arratisje e ngushtë, mund t’i japë Grebnevit, më shumë vetëbesim. Në fund të fundit, asnjë kampion, nuk bëhet i tillë pa pak fat, në rrugën e tij.

Rezultatet pas Raundit të parë, Open

Rezultatet pas Raundit të parë, Vajza

Photos: Vlada Crne Gore

Official webste: worldjunior2025.sahcg.me/

About The Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts