Përfundon pas një gare 7-ditore, në Tiranë, Kampionati Kombëtar për të Rinj. Ky turne u dallua për një pjesëmarrje shumë lartë. Në mjediset e “National Park Tirana” u mblodhën më shumë se 150 shahistë, të grupmoshave të vogla dhe të reja.

Gjatë këtij harku kohor u mbajtën plot 9 Kampionate të ndara: U8, G8, U10, G10, U12 (vajza dhe djem); U14, G14, U16 (vajza dhe djem); U18 (vajza dhe djem), që u finalizuan me kampionët për djem dhe vajza, sipas kategorive.

Dita e sotme kulmoi me kurorëzimin e talenteve të reja ose kampionëve të rinj shahistët, të cilët, në të ardhmen, shpresojmë që të vazhdojnë të jenë të suksesshëm edhe në arenën ndërkombëtare. Një garë e bukur, me entuziazëm, me dëshirë për të luajtur deri në fund të kampionatit, luftë e fortë sportive, që për më shumë se gjysmën e kampionëve, rezultati u vendos në ndeshjet play-off.
Ceremoninë e ndarjes së çmimeve, e çeli dhe përshëndeti Sekretarja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Shahut, Znj. Majlinda Pilinci, e cila, uroi të gjithë pjesëmarrësit, për më shumë suksese dhe arritje në një sport elitar si ai i shahut, pa harruar trajneret për punën e përkushtuar, si dhe prindërit, për prezencën dhe mbështetjen e vazhdueshme nga ana e tyre. Më pas, u ndanë trofetë, Kupa, medalje dhe diploma për fituesit e tre vendeve të para të secilës kategori, si dhe çertifikata për të gjithë lojtarët pjesëmarrës.
Kampioni U18, Ergit Ramaj, njëherësh fitoi edhe të drejtën e kualifikimit për garën e finaleve të Kampionatit Kombëtar Individual!
Fakti që pati përfaqësues nga të gjitha rajonet e Shqipërisë, tregon se shahu, sidomos nga prindërit ka qenë inkurajues. Klubet sportive “Partizani”, “Tirana”, “Teuta”, “Butrinti” dhe vogelushët simpatikë të Gjirokastrës, ishin më të dalluarit!

Falënderime për punën e palodhur, arbitrat: kryegjyqtarin Kristaq Andoni, me gjyqatrë Petro Boçin, Laureta Omerin dhe Dejvi Çanin!
Fituesit sipas grupmoshave:
U8: David Gjani, SK Tirana
G8: Mia Caku, KS Partizani
U10: Juan Guri, KS Partizani
U12: Erdi Cani, KS Partizani
G12: Fiona Hoxha, SK Tirana
U14: Ted Shtiza, SK Tirana
G14: Ailin Ndreko, KS Partizani
U16: FM Mateu Boci, KS Teuta
U18: Ergit Ramaj, KS Teuta