Kampionati Kombëtar 2025 | Mbyllin siparin finalet!

Federata Shqiptare e Shahut përmbyll me sukses, Finalet e Kampionatit Kombëtar Individual Open 2025, ku morën pjesë 10 shahistët më të mirë të vendit, si pjesa kulminante e konkurrencës kombëtare, për këtë kategori.

Paralelisht u zhvilluan edhe Kampionati Kombëtar Individual për Femra 2025, si dhe Kampionati Kombëtar Individual për Seniorë 2025, duke kompletuar një seri aktivitetesh të rëndësishme kombëtare.

Këto gara shënojnë edhe mbylljen zyrtare të Kalendarit sportiv 2025, një vit i veçantë për shahun shqiptar, kur Shqipëria mirëpriti gjithashtu, Kampionatin Botëror të Shahut për të Rinj, një ngjarje e përmasave të mëdha ndërkombëtare.

Titulli “Kampion kombëtar Open” i takoi Dritan Mehmetit, ndërsa Klean Shuqja u shpall “Kampione kombëtare për Femra” dhe Ilir Seitaj, “Kampion kombëtar për Seniorë”.

Këto gara mbyllin kalendarin sportiv, të një viti të veçantë për shahun shqiptar, vit që përfshiu edhe organizimin e Kampionatit Botëror të Shahut për të Rinj në Shqipëri.

Pas një gare që ngushtohej dita-ditës, e diela shënon kulmin, me shpalljen e fituesve!

Ceremonia e ndarjes së çmimeve, për shahistët fitues të këtij kompeticioni, u mbajt pranë MAK Albania, me pjesëmarrjen e Sekretares së Përgjithshme të FSHSH-së, Majlinda Pilinçi, Mjeshtrit Vangjel Adhami dhe anëtarëve të kryesisë: Fatos Muço, Eglantina Shabanaj, Besnik Bajraktari, Myzaljen Hoxha.

Kryearbitër: Kristaq Andoni

Arbitër dhe transmetim live: Pandi Borova

Gjatë fjalës së saj, Sekretarja e Përgjithshme, Pilinçi, shprehu mirënjohje për seriozitetin dhe përkushtimin e treguar nga sportistët, deri në çastet e fundit të garës, duke theksuar rëndësinë e finaleve kombëtare në rritjen e cilësisë sportive dhe promovimin e vlerave shahistike.

Në vijim, u prezantua renditja finale dhe u shpallën fituesit e edicionit 2025, me ndarjen e çmimeve, për sportistët më të dalluar.

Ndërsa, Kryearbitri Kristaq Andoni, shprehet për garën:

“Si rrallëherë, 7 kampionate kombëtare u zhvilluan brenda 1 muaji dhe megjithëse vështirësitë ishin të shumta, pasi të rinjtë e ndjenë më shumë, duke qenë në sezonin e provimeve, ata ishin protagonistët në të gjitha veprimtaritë.

Në Kampionatin e 81-të Kombëtar Individual për Meshkuj, lufta për vendin e parë ishte shumë e fortë dhe titulli u zgjidh në “fotofinish”. Mjeshtri Ndërkombetar Dritan Mehmeti, i cili u shpall kampion kombëtar, nuk e pati të lehtë, megjithëse kryesoi gjatë gjithë garës, por duke u ndjekur hap pas hapi, nga një shahist i ri, 15-vjeçar: Mjeshtër i FIDE-s Mateu Boci, i cili bëri një garë të shkëlqyer. Në rast se në kampionatin e kaluar rezultati i tij, vendi i dytë, u trajtua si një surprizë, vendi i dytë i këtij viti ishte një realitet i bukur dhe premtues, pasi të përfundosh kampionatin në pikë të barabarta, nuk është gjë e vogël.

Rezultat të mirë arriti dhe 19-vjeçari, Mjeshtër i FIDE-s Aleksandër Xhembulla i “Partizanit”, i cili, me meritë zuri vendin e tretë.

Një i ri tjetër u dallua po aq, që këtë vit e ka arritur nivelin e lojës, sidomos në veprimtaritë ndërkombëtare dhe ky ishte 17-vjeçari, Mjeshtër i FIDE-s, Ergit Ramaj, i cili sapo e fitoi titullin ndërkombëtar dhe zuri vendin e pestë. Kjo treshe, mendoj se do të jetë një bazë e mirë për ekipin kombëtar.

Kampionati 81-te Individual Kombetar per Meshkuj: vendi II FM Mateu Boci

Nën mundësitë e tyre, u paraqitën dy mjeshtrat ndërkombëtarë: Mjeshtri Ndërkombëtar Franc Ashiku, i ekipit “Vllaznia”, që zuri vendin e katërt dhe ish-kampioni në fuqi, Mjeshtri Ndërkombëtar Llambi Pasko i “SK. Tirana”, që u rendit në vendin e shtatë.

Kampionati 81-te Individual Kombetar per Meshkuj: vendi III FM Aleksander Xhembulla

Në Kampionatin e 48-të Kombëtar Individual të Femrave ndoqëm një duel të vazhdueshëm midis kampiones në fuqi, Mjeshtre e FIDE-s, Klean Shuqja dhe Mjeshtre e FIDE-s, Eglantina Shabanaj. Që të dyja përfaqësuan “SK. Tirana” dhe në mbyllje të garës, me pikë të barabarta në turin e fundit u përballen me njëra-tjetrën, se kush do të ishte kampione.

Kampionati 48-te Individual Kombetar per Femra: vendi I WFM Klean Shuqja

Në këtë finale, më e avantazhuar ishte Shabanaj, pasi i mjaftonte edhe barazimi për të dalë kampione, por që nuk e arriti dhe pas një ndeshjeje shumë të gjallë dhe përplasjeje në fushë, Shuqja u tregua më e qetë dhe në momentet me decizive ishte më e saktë. Kështu, ajo e përsërit suksesin e vitit të kaluar!

Kampionati 48-te Individual Kombetar per Femra: vendi II WFM Eglantina Shabanaj

Në vend të tretë të podiumit, u rendit Mjeshtre e FIDE-s, Kler Caku, që në këtë garë tregoi se ishte shumë e lodhur dhe me rezultate që, nuk jemi mësuar ta shohim në kampionatet e fundit.

Kampionati 48-te Individual Kombetar per Femra: vendi III WFM Kler Caku

Vlen të përmendet se, 13-vjeçarja e klubit sportiv “Partizani”, Ailin Ndreko, jo vetëm zuri vendin e katërt, por pati edhe rritje në nivelin e lojës. Me më shumë besim dhe më pak emocione, Ailini me siguri shume shpejt do te konkurroje me 3 më të mirat.

Jashtë pritshmërive ishte rezultati i Eklea Omerit, Kandidate Mjeshtre e FIDE-s, duke zënë vendin e pestë, pa arritur objektivat për të luajtur për titullin.

Edhe ky kampionat, në përgjithësi ishte pozitiv.

Edhe Kampionati i 12-të Kombëtar Individual i Seniorëve mbi moshën 60 vjeç, nuk bëri përjashtim nga dy të parët. Edhe këtu, çdo gjë u zgjidh në turin e fundit, ku një treshe e përbërë nga Mjeshtri Ndërkombëtar, Ilir Seitaj i ekipit “Butrinti”, Mjeshtrii FIDE-s, Lorenc Rama i ekipit “Teuta” dhe mjeshtri Gligor Stavri, i “Luftëtarit”, luftuan deri në fund për vendin e parë. Seitaj, që nuk humbi asnjë ndeshje, u shpall kampion, ndërsa për vendin e dytë, Rama dhe Stavri, në bazë të Rregullores zhvilluan ndeshje play-off, ku fitues doli Rama.

Mjeshtri Ndërkombëtar Ilir Seitaj Fitues i Vendit të I në Kategorinë e Seniorëve

Në këtë kategori pati më shumë pjesëmarrës dhe shahistët, ndonëse ishin mbi moshën 60 vjeçare, i dhanë garës lufte sportive dhe rezultate interesante.

Mjeshtri i FIDE, Lorenc Ramaj Fitues i Vendit të II në kategorinë e Seniorëve

Duke i përmbyllur të trija veprimtaritë, mund të themi se ishin me rivalitet, të bukura dhe me rezultate interesante.

Mjeshtër Gligor Stavri, Fitues i Vendit të III në kategorinë e Seniorëve

Ky kampionat, shënoi një tjetër hap të suksesshëm, për Federatën Shqiptare të Shahut, me fituesit e rinj, si më poshtë:

Kampionati Kombëtar Open:

Vendi I Dritan Mehmeti

Vendi II Mateo Boçi

Vendi III Aleksander Xhembulla

Kampionati Kombëtar për Femra:

Vendi I Klean Shuqja

Vendi II Eglantina Shabanaj

Vendi III Kler Caku

Kampionati Kombëtar për Seniorë:

Vendi I Ilir Seitaj

Vendi II Lorenc Ramaj

Vendi III Grigor Stavri

Linku: https://view.livechesscloud.com/

About The Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts