Federata Shqiptare e Shahut njofton zhvillimin e Mediterranean Open & Women Championships 2026, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit shahistik në rajonin mesdhetar, që do të mbahet në Budva, Mali i Zi, në datat 4–11 korrik 2026. Veprimtaria organizohet nga Federata e Shahut e Malit të Zi, nën patronazhin e Mediterranean Chess Association, në bashkëpunim me institucionet përkatëse sportive dhe vendore të Malit të Zi.
Programi i këtij eventi përfshin Open “A”, të vlefshëm edhe si Mediterranean Championships 2026 për lojtarët me vlerësim 2000+, si dhe Open “B” për lojtarët me vlerësim nën 2000. Gjithashtu, në kuadër të kampionatit do të zhvillohen edhe Mediterranean Rapid Championship 2026 U14 & U20 dhe Open Blitz Tournament, të planifikuara për datën 8 korrik 2026. Turneu kryesor do të luhet me 9 raunde sistem zviceran, sipas rregullave të FIDE-s.
Sipas programit zyrtar, ceremonia e hapjes do të mbahet më 4 korrik, në orën 13:30, ndërsa raundi i parë nis në 14:00. Raundi i fundit do të zhvillohet më 11 korrik, ndërsa ceremonia e mbylljes është parashikuar në orën 18:00. Ky aktivitet vjen me një fond total çmimesh prej 39,000 euro, duke e bërë një nga eventet më tërheqëse të vitit për shahistët e rajonit.
Për vendet anëtare të Mediterranean Chess Association, organizatorët kanë parashikuar mbulimin e kostove të akomodimit në dhomë dyshe me gjysmë-pension për një lojtar të ftuar nga çdo federatë kombëtare, me kusht që regjistrimi të kryhet përmes federatës përkatëse. Ndërkohë, afati i regjistrimit është 18 maj 2026, ndërsa konfirmimi i pjesëmarrjes duhet të bëhet deri më 4 korrik 2026, ora 11:00.
Federata Shqiptare e Shahut fton të gjithë shahistët e interesuar që të regjistrohen në kohë dhe të shprehin interesin e tyre për pjesëmarrje në këtë kampionat prestigjioz. Formulari i regjistrimit kërkon të dhënat personale dhe sportive të lojtarit, si edhe detajet e udhëtimit dhe kopjen e pasaportës.
Ky kampionat ka një rëndësi të veçantë edhe për shahun shqiptar, pasi Presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut, z. Erald Dervishi, mban gjithashtu detyrën e Presidentit të Federatës Mesdhetare të Shahut, duke i dhënë kësaj ngjarjeje një vlerë të shtuar për përfaqësimin dhe angazhimin institucional të Shqipërisë në arenën mesdhetare.

Ftojmë të gjithë shahistët shqiptarë që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtij eventi të rëndësishëm të koordinohen në kohë për procedurat e regjistrimit. Për më shumë informacion mbi programin, kushtet e pjesëmarrjes, akomodimin dhe detajet organizative, gjeni infopack-un në linkun e mëposhtëm.
