Kampionati Botëror i Shahut për të Rinj FIDE U14, U16 & U18 2025 ul siparin me një mbrëmje festive në “Grand Blue Fafa Resort”, duke shënuar dy javë të paharrueshme, me pjesëmarrjen e rreth 800 lojtarëve, nga 90 federata.

Këtë mbrëmje festive mbarëbotërore e nderoi me praninë e Tij, Sh.T.Z Bajram Begaj, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, i cili vlerësoi lart punën e madhe dhe të palodhur të organizatorëve të kësaj gare globale. Gjatë fjalës së Tij, Sh.T.Z Bajram Begaj, mes të tjerash uroi Federatën Shqiptare të Shahut për këtë aktivitet të jashtëzakonshëm që u mbajt në Durrës dhe ku, morën pjesë shahistët e rinj më të mirë, nga e gjithë bota. Presidenti Begaj i përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe fituesit e këtij botërori, duke u uruar suksese të mëtejshme.

Të pranishëm në mbëmjen festive ishin shumë personalitete, mes të cilëve: Erald Dervishi – President i Federatës Shqiptare të Shahut (FSHSH), Fidel Ylli – President i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Eduard Shalsi – President Nderi i Federatës Shqiptare të Shahut, Ambasadorja Fuqiplotë e Republikës Popullore të Kinës, Pang Chunxue, Gentian Kallmi – Nënkryetar i Bashkisë Durrës, Ozgur Solakoglu – Drejtor Teknik i aktivitetit / Shefi i Inspektimit të Eventeve pranë FIDE dhe Fatos Çerenishti – Anëtar i FSHSH-së, njëherësh President i “FAFA Group”.

Ndërkohë, Presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut, Grandmaster Erald Dervishi, njëkohësisht fitues i shumë çmimeve brenda dhe jashtë vendit, përshëndeti fituesit, të pranishmit, organizatorët dhe gjithë stafin, për mbarëvajtjen e këtij eventi të madh botëror.
Në fjalën e tij, Dervishi vlerësoi organizimin dhe rëndësinë e kampionatit, duke theksuar se, ai është pjesë e një tradite tashmë të konsoliduar, në tri vitet e fundit.
“Eventi që sapo mbyllim është pjesë e harkut kohor të tri viteve organizimesh, që ne kemi ndërmarrë. Ky kampionat i të rinjve do të ndihmojë ndjeshëm, në rritjen e mëtejshme të këtij sporti në Shqipëri,” – tha Dervishi.

Ai nënvizoi gjithashtu se, falë bashkëpunimit me Komitetin Olimpik dhe mbështetjes së Presidentit të Nderit, Eduard Shalsi, këtë vit ka rifilluar programi “Shahu në shkolla”, një nismë që synon përfshirjen e brezave të rinj, në sportin elitar të mendjes.
“Dua të falënderoj përzemërsisht, gjithë stafin, për punën e pakursyer dhe përkushtimin në organizimin e këtij eventi, me kaq shumë pjesëmarrës. Faleminderit që jeni sonte, këtu!” – përfundoi Dervishi.
Urime të përzemërta për të gjithë fituesit dhe pjesëmarrësit për pasionin, ndershmërinë sportive dhe lojërat e paharrueshme, që e kthyen Shqipërinë🇦🇱 këtë fillimtetor, në arenë botërore të shahut për të rinj.
